" />

Mirsevini ne Portalin Informativ te Futbollit

Click here to edit subtitle

Messi apo Ronaldo

Messi apo Ronaldo

Gazeta sportive "Marca" ka hapur, ndoshta debatin e dekadës, cili ëhstë lojtari më i kompletuar: Lionel Messi apo Cristiano Ronaldo? Sipas analizave të përditshmes spanjolle është Ronaldo.

Krahasimi i aftësive të tyre është po kaq magjepsës sa vetë futbolli. Dhe ashtu si në futboll, rezultati përfundimtar nuk dihet asnjëherë. Janë të shumtë faktorët që përcaktojnë nëse një futbollist është më i mirë se një tjetër. Nëse për një tifoz dikush mbetet absolutisht më i miri, për një tjetër, argumentet e të parit mund të duken të pabaza. 

Por Marca ka gjetur një mënyrë për t’iu ‘kundërvënë’ triumfit absolut të Leo Messit, duke argumentuar se Cristiano Ronaldo, në fakt, është futbollist më i kompletuar. Është kjo një mënyrë për të ‘përkëdhelur’ egon e rrëzuar të portugezit, pasi ky i fundit zbriti nga froni i lojtarit më të mirë, duke ia lënë vendin argjentinasit? Apo ndoshta gazeta (që është gjithmonë miqësore ndaj Realit) ka një argument bindës, duke mbajtur parasysh faktin se të jesh lojtari më i kompletuar, nuk do të thotë me doemos të jesh lojtari më në formë për momentin? 

Megjithëse përfundimi i Marca mund të mos duket befasues, në fakt, rezultati i dhjetë kategorive të marra në analizë, është i tillë. Jo vetëm që Ronaldo e mund Messin në gjashtë nga dhjetë kategoritë, por gjithashtu argjentinasi del fitues vetëm në dy të tilla, duke lënë në barazim dy të tjera. Por le t’i hedhim një sy më të hollësishëm dhjetë argumenteve të marra në analizë nga e përditshmja spanjolle:

1. Loja kolektive 
Messi 8; Ronaldo 7

Asgjë befasuese këtu. Prej kohësh Ronaldo është kritikuar për individualizmin e tepërt në lojën e tij dhe dëshirën për të bërë gjithçka vetë, në mënyrë që të marrë për vete duartrokitjet e publikut. Ndërkohë që Messi, i njohur për aftësitë e tij magjike në driblim, mbështetet më tepër tek loja kolektive. Kombinon më mirë me të tjerët. Për të qenë të ndershëm deri në fund, që kur luan te Reali, Ronaldo është bërë disi më kolektiv. Kjo e shpjegon diferencën e ngushtë të notave midis tyre.

2. Teknika individuale 
Messi 9; Ronaldo 9

Pa dyshim, të dy kanë një teknikë të jashtëzakonshme, qoftë në kontrollin e topit, driblimin apo gjuajtje. Ndoshta kjo është kategoria më e vështirë për t’u analizuar. Në fakt, është tepër e vështirë të përcaktohet nëse njëri ka teknikë më të mirë se tjetri.

3. Fiziku 
Messi 7; Ronaldo 10

Ronaldo është dukshëm më i gjatë, më i fuqishëm, më muskuloz dhe robust, megjithëse disa do të tallen, duke thënë se ai bie në tokë më shpesh se një “plesht” i quajtur “Lioneli i Vogël”. Por Messi ka treguar se në fakt, gjatësia nuk ka fare rëndësi. Argjentinasi ka ditur të përdorë staturën e lehtë fizike për t’i fituar kohën kundërshtarëve, ndërkohë që qendra e lehtë e rëndesës i jep një epërsi të ndjeshme kur vrapon me topin, duke i lënë pas kundërshtarët. Dhe megjithëse është vetëm 169 centimetra i gjatë, ai përpiqet të qëndrojë në këmbë sa më gjatë të jetë e mundur dhe të vazhdojë përpara, edhe kur kundërshtarët duan ta rrëzojnë.

4. Shpejtësia 
Messi 8; Ronaldo 9

Edhe kjo është një kategori e vështirë për t’i dhënë një vlerësim të prerë, sepse të dy janë shumë të shpejtë. Të dy kanë shpejtësi të lartë dhe ekuilibër të shkëlqyer kur ndryshojnë menjëherë drejtim. Sigurisht që nuk mund ta dimë me saktësi se cili është vërtet më i shpejti, pa i vënë në garë kokë më kokë... Talenti argjentinas i Barcës ka një ritëm të mirë në kontrollin e afërt të topit, me hapa të vegjël dhe shumë të shpejtë. Ndryshe ndodh me Ronaldon, këmbët e gjata të të cilit bëjnë që të ketë hapa të mëdhenj dhe të çajë përpara si një gazelë (si shoku i tij i ngushtë Usain Bolt). Por avantazhi i portugezit qëndron në faktin e thjeshtë se përdor shpejtësinë për të mposhtur kundërshtarët, ndërkohë që Mesi mbështetet më tepër në aftësitë për të kontrolluar topin nga afër dhe në driblim.

5. Driblimi 
Messi 10; Ronaldo 8

Me gjithë shpejtësinë, Ronaldo nuk është shumë i zoti në driblim (të paktën jo po të marrim si model Maradonan). Fintet, ‘biçikleta’ dhe manovrat me thembër ia bëjnë më të lehtë punën për të kaluar një kundërshtar kokë më kokë dhe shpejtësia e ndihmon për këtë. Por ai nuk është lloji i dribluesit që mund të kalojë 5-6 kundërshtarë rresht, gjë që Mesi e bën me sy mbyllur. Prandaj, këtë “betejë” e fiton pa dyshim Messi.

6. Gjuajtja 
Messi 8; Ronaldo 9

Messi nuk është një sulmues që varet nga forca e gjuajtjes së tij. Edhe kur është fare pranë golit, ai parapëlqen thjesht të kalojë topin pas shpinës së portierit, në vend që të përpiqet ta futë atë brenda me gjithë top. Ndërkohë që CR9 gjithmonë përpiqet të shënojë nga 30-40 metra dhe të tregojë forcën vdekjeprurëse, brutale të të djathtës së tij. Megjithatë, gjuajtja nuk do të thotë thjesht fuqi. Saktësia gjithashtu është pjesë e një gjuajtjeje të mirë dhe të dy janë në gjendje të dërgojnë topin në rrjetë nga 25-30 metra. Megjithatë, Ronaldo me të drejtë e fiton këtë kategori, falë forcës së gjuajtjes së tij.

7. Pasimi 
Messi 9; Ronaldo 9

Ndoshta ky është një nga vlerësimet më befasuese. Ronaldo asnjëherë nuk është shquar si një pasues i mirë gjatë kohës kur luante te Manchester United. Sidoqoftë, që kur luan te Reali, ka mësuar të bashkëpunojë me shokët e skuadrës, por edhe kjo nuk është veçse në ndonjë pasim horizontal apo në kuadrat. Ndërkohë që Messi ka marrë disa cilësi nga Xavi dhe Iniesta rsa i përket pasimit dhe ka filluar të japë topa ‘të zgjuar’ në thellësi. Argjentinasi ka pesë asistime gjithsej në kampionat, krahasuar me vetëm një nga Ronaldo. Por të kesh më shumë asistime, nuk do të thotë me doemos të jesh pasues më i mirë. Prandaj, është e vështirë të përcaktohet me saktësi.

8. Gjuajtja me kokë 
Messi 7; Ronaldo 9

Nëse kategoria e mëparshme pati disa debate, me siguri që kjo nuk ka asnjë kontestim. Messi po punon të përmirësojë aftësitë e tij të lojës në ajër, diçka që e bëri më së miri kur qëlloi mu në zemrën e Djajve të Kuq në finalen e Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar, pikërisht përballë Ronaldos me shokë. Por portugezi është një nga gjuajtësit me kokë më të mirë, megjithëse nuk është sulmues tipik. Ai ka aftësinë të kërcejë edhe mbi mbrojtësin më të gjatë dhe gjithashtu është një nga ata lojtarë që ka aftësinë prej Matriksi të qëndrojë në ajër më gjatë se të tjerët. Dhe goditja e tij me kokë është e saktë dhe e fortë.

9. Të qenët lider 
Mesi 7; Ronaldo 9

Sigurisht që ky vlerësim mund të ketë shumë kritikë. A mund të jetë udhëheqës i skuadrës një lojtar që shpërthen në inat (ose të paktën, shpërthente)? Mund të mos jeni dakord sa të doni, por ai është kapiteni i kombëtares portugeze dhe shpesh herë mbledh rreth vetes edhe shokët e skuadrës te Reali. Nga ana tjetër, Messi duket ai lloj lojtari që do vetëm të bëjë qejf me topin në fushën e lojës dhe të mos shqetësohet fare për të qenë udhëheqës i dhjetë lojtarëve të tjerë. Nuk po themi se është një “dele e butë”, por kur ke një lojtar si ai, dëshiron të përqendrohet më tepër tek futbolli, askund tjetër.

10. Gjuajtjet e lira dhe penalltitë 
Mesi 7; Ronaldo 9

Të dy i gjuajnë goditjet e lira në mënyrë të shkëlqyer. Por ka një arsye pse Ronaldo merr vlerësim më të lartë në këtë pikë. Sipas një raporti nga një profesor i fizikës, rezulton se trajektorja që i jep portugezi gjuajtjes i ngjan më tepër asaj të bejsbollit dhe është më e vështirë për t’u kapur nga portieri. Kthesat, zhytjet, përdredhjet dhe lakimet që i bën ai gjuajtjes janë shumë të vështira për t’u realizuar dhe kërkojnë një saktësi dhe teknikë të lartë. Një gabim fare i vogël në llogaritje mund të bëjë që topi të përfundojë në drejtim të autobusit të skuadrës apo drejt parkingut të stadiumit. Gjithashtu, të dy janë pothuajse të përsosur në momentin e penalltive, jo vetëm për mënyrën e ekzekutimit, por edhe nga pikëpamja psikologjike, megjithëse, kohët e fundit, Ronaldo ka filluar të gabojë disi më shpesh. Por futbollisti 94 milionësh, e ka bërë tashmë markë të vetën ekzekutimin e gjuajtjeve të lira. 

Në përfundim, vlen të thuhet se si Ronaldo, ashtu edhe Messi janë futbollistët absolutisht më të mirë gjatë dy viteve të fundit dhe supremacia e tyre nuk mund të mohohej as nga FIFA, as nga revista France Football. Pra, ata janë afër njëri-tjetrit. Po kush është më i miri? 

Ndoshta ky është debati që një ditë mund të zëvendësojë atë midis Peles dhe Maradonas. Në njëfarë mënyre, yjet e Barcelonës dhe Realit të Madridit tashmë e kanë bërë të vetën këtë çështje. Ndoshta është më mirë të mos jepet një përgjigje e prerë përfundimtare dhe pse jo, debati të vazhdojë edhe për një shekull tjetër... /GazetaStart/Telegrafi/


Ronaldo e Messi, Foto: Reuters

Chat online